Ndërlidhjet

Ambasada britanike: Nuk është koha për manovrime politike


Ilustrim.

Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se në kohën kur shumica e vendeve në botë po përballen me pandeminë e koronavirusit, në Kosovë nuk është koha për manovrime politike, por për bashkëpunim të brendshëm dhe atë rajonal.

“Pas votës së mosbesimit në Kuvend, Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet, dhe që vendimet të mirren shpejt që t’i mundësohet Qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë konsiderata kryesore. Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale”, është thënë në reagimin e kësaj ambasade përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook.

Kjo Ambasadë ka thënë po ashtu se përshëndet vendimin e Qeverisë në detyrë për largimin e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë”, është thënë në reagim.

Ky dhe reagime të ngjashme të faktorit ndërkombëtar vijnë pas mbajtjes së mocionit të mosbesimit, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.

LDK-ja pati përmendur si arsye për këtë veprim, vendimin e Kurtit për shkarkim të Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm dhe prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara për heqje të taksës.

Taksa 100 për qind ishte vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG