Ndërlidhjet

Rohani: Sanksionet s’e pengojnë Iranin në luftën kundër koronavirusit


Presidenti i Iranit, Hassan Rohan.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se sanksionet e Shtetetve të Bashkuara nuk i kanë dëmtuar kapacitetet e këtij vendi në luftën kundër koronavirusit.

“Nuk jemi përballur me asnjë problem sa i përket unitetit, menaxhimit të mirë dhe stafit profesional mjekësor”, tha Rohani gjatë një takimi të kabintetit të tij qeveritar.

“Irani nuk ka asnjë problem sa i përket sigurimit të monedhës së huaj deri në fund të vitit [iranian]”, shtoi ai.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ia kanë ndërprerë Iranit të ardhurat nga nafta dhe ia kanë shkatërruar ekonominë.

“Kemi rezerva të mjaftueshme të mallrave thelbësore për muajt e ardhshëm. Ministrat e Bujqësisë dhe Tregtisë kanë dhënë raporte shumë premtuese për situatën gjatë muajve të ardhshëm”, tha Rohani.

Komentet e tij vijnë në kohën e thirrjeve të shtuara të zyrtarëve iranianë, por edhe të disa vendeve të tjera për të lehtësuar sanksionet kundër Republikës Islamike, e cila po përballet me një shpërthim të madh të koronavirusit.

Sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka vrarë zyrtarisht afro 3,300 iranianë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, tha në një postim në Twitter se komentet e Rohanit e konfirmojnë qëndrimin e Uashingtonit, se sanksionet nuk e pengojnë Iranin në luftën kundër koronavirusit.

SHBA-ja ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit prejse është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me të, në maj të vitit 2018.

XS
SM
MD
LG