Ndërlidhjet

Shtohen masat mbrojtëse nëpër dyqanet ushqimore në Prishtinë


Ilustrim.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur të hënën se ka rritur masat mbrojtëse me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri, duke shënjestruar dyqanet.

Drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Adonis Tahiri ka publikuar vendimin e zyrtarëve komunalë në rrjetin social, Facebook, në të cilin thuhet se dyqanet ushqimore duhet të dezinfektojnë vazhdimisht të gjitha shportat që shërbejnë për bartjen e produkteve ushqimore si dhe të caktojnë një person që do të merret me respektim të distancës së klientëve.

Aty po ashtu është thënë se do të ketë gjoba për bizneset që nuk respektojnë vendimin e ri.

Gjatë ditës së hënë sheshet kryesore në qendër të kryeqytetit të Kosovës janë bllokuar për qarkullim nga Policia e Kosovës, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Sheshet “Skënderbe”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” janë bllokuar me shirita, ndërsa disa rrugë të tjera që lidhen me to, janë bërë të pakalueshme.

Drejtusit e Komunës së Prishtinës thanë se një veprim i tillë është marrë pasi është vërejtur qarkullim më i madh i njerëzve në sheshe.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

XS
SM
MD
LG