Ndërlidhjet

SHBA-ja kundërshton pretendimet e talibanëve për shkelje të marrëveshjes


Pamje nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të SHBA-së dhe talibanëve për paqe në Afganistan.

Ushtria amerikane ka kundërshtuar pretendimet e talibanëve afganë se Shtetet e Bashkuara janë duke shkelur kushtet e marrëveshjes së paqes, të nënshkruar nga të dyja palët në fund të muajit shkurt.

Forcat amerikane-Afganistani “kanë zbatuar dhe vazhdojnë të zabtojnë kushtet e marrëveshjes mes SHBA-së dhe talibanëve; secili pretendim tjetër është i pabazë”, ka thënë zëdhënësi, Koloneli Sonny Leggett përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Leggett po ashtu ka shkruar se grupi militant “duhet të zvogëlojë shkallën e dhunës” dhe ka paralajmëruar se ushtria amerikane do të vazhdojë të mbrojë forcat afgane të sigurisë nëse ato sulmohen, ashtu sikurse është paraparë në marrëveshje.

Përmes një deklarate të publikuar gjatë ditës, talibanët kanë akuzuar forcat amerikane dhe ato afgane për kryrje të bastisjeve dhe sulmeve ajrore kundër talibanëve në zonat që nuk i përkasin luftës si dhe për kryerje të operacioneve ushtarake në zonat civile.

Aty është dënuar edhe Qeveria afgane për vonesë në lirimin e mijëra të burgosurve talibanë siç parashihet në marrëveshjen e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe talibanët në kryeqytetin e Katarit, Doha më 29 shkurt.

Militantët po ashtu kanë pretenduar se kanë ulur shkallën e sulmeve në krahasim me vitin e kaluar dhe kanë paralajmëruar se shkeljet e vazhdueshme do të krijojnë “atmosferë të mosbesimit” që mund të “dëmtojë marrëveshjet” dhe “të rrisë nivelin e luftimeve”.

Marrëveshjet e nënshkruara në Doha i kërkojnë Qeverisë afgane lirimin e 5,000 talibanëve të burgosur, si masë për krijim të besimit, para nisjes së bisedimeve formale për dhënie fund të luftës 18-vjeçare në këtë shtet.

Talibanët janë zotuar për lirim të më shumë se 1,000 trupave të qeverisë afgane dhe punëtorë civilë, që aktualisht janë në mbajtje.

XS
SM
MD
LG