Ndërlidhjet

Masa të reja ndaj koronavirusit në komunat veriore


Ilustrim.
Ilustrim.

Shtabet e krizave për luftë kundër koronavirusit në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan, kanë marrë vendim që për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar në këto komuna, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 12:00 e mesditës e deri në orën 6:00 të mëngjesit.

“Ky vendim hyn në fuqi nga dita e premte dhe do të zgjasë 14 ditë”, ka thënë në një konferencë për media, kryeari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ai ka shtuar se një vendim i tillë është marrë edhe në pajtim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo masë, siç ka deklaruar Rakiq, përjashtohen personat që janë të angazhuar në zinxhirin e furnizimit të qytetarëve me ushqim dhe ilaçe, shërbimet shëndetësore, institucionet e sigurisë, udhëheqja dhe personeli i komunave, si dhe anëtarët e shtabeve të krizave për shërbimet e nevojshme. Gjithashtu, sipas tij, nga kjo masë përjashtohen edhe qytetarët të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.

Masat tjera të mëhershme mbeten në fuqi, përfshirë karantinat për komunat Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan, që nga 3 prilli, si dhe mosqarkullimi ndërmjet dy komunave që nga 7 prilli.

Numri i personave të infektuar me koronavirus vetëm në këto dy komuna është 30, ndërkaq në të gjitha mjediset e banuara me shumicë serbe, deri më tash janë 36 persona.

Deri të enjten, në të gjitha komunat e Kosovës është raportuar për 224 persona të prekur me koronavirus, duke përshirë 37 persona të shëruar dhe gjashtë të vdekur.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG