Ndërlidhjet

Dënohet dëmtimi i varrezave të komuniteteve RAE në Rahovec


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Në Rahovec, të premten, janë dëmtuar varrezat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE).

Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka theksuar se e dënon "këtë akt të ulët të vandalizmit".

"Distancohemi qartë nga veprime të tilla kriminale. Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, e harmonisë dhe bashkëjetesës, andaj çdo akt të dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm", ka shkruar Latifi.


Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e ka cilësuar si akt të ulët dhe të papranueshëm në shoqërinë shumetnike të Kosovës.

“Si president i vendit e dënoj ashpër këtë veprim të ulët dhe kërkoj nga Policia e Kosovës që ta hetojnë rastin dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë. Komunitetet janë pasuri e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Reagime ka pasur edhe nga përfaqësuesit politik të këtyre komuniteteve.

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, një një postim në Facebook ka theksuar që partia e tij e dënon ashpër dëmtimin e varrezave të komuniteteve RAE në Rahovec duke theksuar që “akte të tilla të cilat nuk e prezantojnë imazhin e demokracisë së Kosovës” .


“Për Partinë Liberale Egjiptiane rastet e tilla janë të papranueshme dhe ne për së afërmi do ti monitorojmë hetimet nga organet kompetente deri sa të sillet drejtësi”, ka thënë Berisha.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) duke e dënuar këtë akt, ka kërkuar që i njëjti të mos paragjykohet deri në përfundim të hetimeve.

"Kërkojmë hetime të shpejta dhe nxjerrje para drejtësisë të atyre që vandalizuan varrezat e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë integruar në shoqërinë kosovare dhe duke u dëshmuar se janë konstruktiv. Në vend të ndihmave për të cilat kanë shumë nevojë këto komunitete sidomos tani në kohëm e pandemisë, rrënimii varrezave është veprim jonjerëzor dhe i dënueshëm", thotë KMDLNJ përmes një komunikate.

XS
SM
MD
LG