Ndërlidhjet

Vendimet për mbrojtje nga COVID-19 "tash e tutje i merr Ministria e Shëndetësisë"


Albin Kurti dhe Arben Vitia - foto arkivi

Vendimet për masat e reja në luftën kundër COVID-19 - sëmundjes që e shkakton koronavirusi - tash e tutje në Kosovë do të merren nga Ministria e Shëndetësisë, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Njoftimi vjen një ditë para se të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin është shpallur i pavlefshëm vendimi i 23 marsit, 2020, i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, si masë për frenimin e koronavirusit.

“Koha nëpër të cilën jemi duke naviguar, nuk është aspak normale. E dini që vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka lënë kohë që deri nesër të shikojmë edhe një herë masën e marrë. Gjykata asnjëherë nuk e ka kontestuar vendimin në tërësi, por ka thënë se vendimi duhet të merret vetëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo për të gjithë territorin e Kosovës. Prej sot, vendimet i merr Ministria e Shëndetësisë. Ato merren për komuna të caktuara me rekomandime që vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë”, tha Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ky i fundit tha të dielën se kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve do të vazhdojë në të gjitha komunat e Kosovës.

Kjo masë është e njëjtë me vendimin e 23 marsit, që ndalonte qarkullimin e lirë të njerëzve dhe automjeteve nga ora 17:00 deri në ora 06:00.

Por, tani, ky është vendim i Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë.

“Prej sonte në secilën komunë hyjnë në fuqi masat për ndalim-qarkullim, ato që kanë qenë deri sot. Ju njoftoj se këto masa që do t’i vazhdojmë, do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës. Instituti i Shëndetësisë Publike ka dërguar edhe disa rekomandime për masa shtesë. Këto masa do të bëhen publike në ditët në vazhdim”, tha Vitia, duke iu bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkëpunojnë për ta mbrojtur shëndetin publik.

Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona me koronavirus. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG