Ndërlidhjet

Prizreni futet në karantinë, edhe 16 raste të reja me koronavirus


Prizren

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, njoftoi të dielën mbrëma se në komunën që ai drejton janë konfirmuar edhe 16 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shakton koronavirusi.

Haskuka citoi një raport të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.

“Të gjitha këto raste kanë rrjedhur nga kontaktet e rasteve të mëparshme në komunën tonë. Tani, numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 21”, tha Haskuka përmes një postimi në Facebook.

“Menjëherë pas pranimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u dakorduam me ministrin [v.j. në detyrë] të Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizrenin ta shpallim zonë karantine”, tha Haskuka.

Karantina nënkupton gjendjen më serioze të izolimit, të shpallur nga autoritetet.

Më herët, Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se në këtë institucion janë konfirmuar edhe pesë pacientë me COVID-19.

Shifrat e reja e rrisin në 302 numrin total të të infektuarve në Kosovë.

XS
SM
MD
LG