Ndërlidhjet

Kosovë: 102 persona shkelin masat kundër koronavirusit


Prishtina në izolim.
Prishtina në izolim.

Policia e Kosovës ka ndalur 102 persona në 24 orët e fundit për shkak të mosrespektimit të masave të kufizimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë respektuar masat është nga qyteti i Prishtinës, 47 persona.

Prishtina është futur të dielën në karantinë pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar për shtim të numrit të rasteve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përveç Prishtinës, në karantinë janë futur edhe Prizreni, Ferizaj dhe Suhareka.

Prej shpërthimit të këtij virusi në Kosovë më 13 mars, të dielën është regjistruar numri më i madh i të prekurve brenda një dite, 79.

Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me këtë sëmundje janë infektuar 362 persona, 59 janë shëruar derisa shtatë kanë vdekur.

Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG