Ndërlidhjet

Kryetarët e komunave të Kosovës: Masat e reja po shkaktojnë kaos


Prishtinë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të ri të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizim më të ashpër të lëvizjes së qytetarëve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Me masat e reja, që do të hyjnë në fuqi nga data 15 prill, qytetarët e Kosovës do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një orë e gjysmë në ditë dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.

Deri më tash, kufizimi i lëvizjes ka qenë nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Në reagimin dërguar ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ministres në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, thuhet se komunat nuk janë konsultuar fare lidhur me vendosjen e masave të reja.

“Këto masa kanë filluar menjëherë të shkaktojnë kaos dhe tollovi si në komuna ashtu edhe vende tjera publike dhe, në një formë, janë kundër-efektive në betejën për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]”, thuhet në letrën e kryetarëve të komunave të Kosovës, pa u dhënë më shumë detaje.

Në një konferencë për media, të martën në Prishtinë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti masat, duke i cilësuar si të domosdoshme për frenimin e pandemisë.

Kosova aktualisht ka të konfirmuara 377 raste të të infektuarve me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG