Ndërlidhjet

Kryetarët e komunave në veri informojnë publikun për masat e reja


Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës në një konferencë për shtyp, më 15 prill, 2020. Nga e majta: Zoran Todiq, Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Srgjan Vuloviq.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, ku jeton shumica e popullatës serbe, përmes një konference për shtyp, informuan publikun lokal për masat e reja, të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha se masat e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi sot, vlejnë gjithashtu për të gjitha komunat në veri: Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës mund të dalin nga shtëpitë vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe varet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

"Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët tanë që posedojnë letërnjoftime të lëshuara nga autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë, është se leja e lëvizjes për ta përcaktohet në bazë të numrit të fundit në letërnjoftim ose pasaportë”, tha Rakiq.

Në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, është e ndaluar lëvizja me një person tjetër, përveç me personat me aftësi të kufizuara ose ata nën moshën 16 vjeç.

Personat mbi 65 vjeç këshillohen të mos dalin jashtë.

Rakiq po ashtu falënderoi shtetin e Serbisë dhe Zyrën për Kosovën atje për, siç tha, ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes në të gjitha nivelet - nga ekipet mjekësore deri te pajisjet mbrojtëse, ilaçet dhe dezinfektuesit.

Në gjithë territorin e Kosovës, aktualisht janë të konfirmuara 387 raste të të infektuarve me koronavirus; nëntë pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG