Ndërlidhjet

Ministri Vitia bën thirrje të respektohet masat kundër COVID-19 gjatë muajit të Ramazanit


Prishtina: Minister of Health, Arben Vitia during a press conference.
Prishtina: Minister of Health, Arben Vitia during a press conference.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u është drejtuar besimtarëve myslimanë të cilët kanë filluar agjërimin e muajit të Ramazanit.

Ai i ka porositur ata që të ruajnë distancën fizike edhe gjatë këtij muaji, për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit të ri.

"Këtë vit mbrëmjet e iftaret nuk do të jenë si çdo vit. Po kush më mirë se besimtarët e di vlerën e formën e sakrificës? Agjërimin këtë vit na duhet ta shoqërojmë me rregulla që na mbajnë larg fizikisht e nuk na lejojnë të mblidhemi as brenda familjeve", ka shkruar Vitia.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 669.
Të enjten janë shëruar edhe 21 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 159 . Deri më tani në Kosovë 19 pacientë kanë humbur jetën.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

XS
SM
MD
LG