Ndërlidhjet

Serbia e ndihmon Italinë me pajisje mjekësore


Katër aeroplanë me pajisje mjekësore u nisën të shtunën nga Aeroporti i Beogradit për në Itali – njëri nga vendet më të prekura nga koronavirusi.

Carlo Lo Cascio, ambasador i Italisë në Beograd e falënderoi Serbinë për ndihmën, duke thënë se ky është një “gjest i madh”.

“Kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme për ne. Ky material do të jetë shumë i dobishëm për spitalet tona, për të shpwtuar jetë njerëzish nga koronavirusi”, ka thënë Lo Cascio.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se ndihma për Italinë përbëhet nga 2 milionë maska kirurgjikale, 2 milionë maska epidemiologjike, 1 milion doreza mbrojtëse dhe pajisje tjera.

“Serbia do t’i dërgojë Italisë tetë aeroplanë me ndihma. Katër sot, dy nesër dhe dy pasnesër. Këto janë mallra që Serbia i ka blerë me paratë e qytetarëve të saj. Italia ka tani më shumë nevojë se ne. Vendi ynë është i furnizuar” tha Vuçiq.

Në kutitë me pajisje mbrojtëse kundër koronavirusit është shkruar “Ne do të fitojmë së bashku - Itali ji e fortë, Serbia është me ju”.

Italia, pas Shteteve të Bashkuara ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi: mbi 26,000.

Në Serbi mbi 7,400 persona janë infektuar me koronavirus, ndërsa kanë vdekur 144.

Për lajmet e fundit rreth koronavirusit përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG