Ndërlidhjet

Kurti: Ndërmarrjeve tona ua grabitën hapësirën për afarizëm


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-adresimi ka ngritur çështjen e ndërmarrjeve publike në Kosovë, duke arsyetuar vendimet e qeverisë së tij, për të shkarkuar bordet e disa prej këtyre ndërmarrjeve, gjatë periudhës së fundit.

"Ndërmarrjeve tona ua grabitën hapësirën për afarizëm, duke grumbulluar fitime shpesh jo të ligjshme prej tenderëve të kurdisur e kontratave të dëmshme, dhe duke krijuar përshtypjen shoqërore se enti publik nuk ka mundësi të operojë në kushtet e ekonomisë së tregut", ka thënë Kurti.

Këto, sipas Kurtit, kanë ngjarë në Telekom, Postë, në KEK (Korporatën Energjetike të Kosovës), pastaj në gati të gjitha ndërmarrjet për ujësjellës e kanalizime, në Trepçë, Infrakos e të tjera.

Të gjitha këto kompani funksionojnë me borde të përkohshme, të cilat janë emëruar nga qeveria Kurti, pasi paraprakisht janë shkarkuar anëtarët e vjetër të bordeve.

Përmes të njëjtit video-mesazh, është deklaruar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, e cila ka potencuar të dhënat e një numri raportesh të auditorit të përpiluara nga gjetjet në këto kompani publike.

Sipas Hajdarit në këto raporte janë vërejtur shkelje dhe keqpërdorime.

Masat e ndërmarra nga qeveria Kurti në ndërmarrjet publike janë kundërshtuar nga opozita në Kosovë.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka thënë para një kohe se këto vendime, përfshirë atë të shkarkimit të Drejtorit të Doganës, kanë qasje të "spastrimeve me agjendë politikë".

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti joshumicë.

Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare Çohu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ndikimi i cilësdo palë në përzgjedhjen e personave në pozitat udhëheqëse, automatikisht vë në rrezik performancën e ndërmarrjeve.

“Kushdo që emërohet në këto borde nga qeveria e tanishme, nuk duhet të kenë përkatësi të caktuar politike, e mbi të gjitha të jenë njerëz profesionistë që kërkohet varësisht prej ndërmarrjes. Dhe më pas emërimeve t’u matet performanca, pra edhe bordeve të reja vazhdimisht, në mënyrë që të shohim se si performojnë. Nëse ka performancë negative, atëherë duhet të shkarkohen prapë në mënyrë që të mos mbesin gjithmonë borde me performancë të dobët”, ka thënë Demhasaj.

XS
SM
MD
LG