Ndërlidhjet

Shkalla e infektimit me koronavirus në Kosovë bie "nën 4 për qind"


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përqindja e rritjes së numrit të rasteve të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi ka rënë nën 4 për qind.

Këtë rezultat Kurti e ka konsideruar progres të jashtëzakonshëm.

“Falë masave të 15 prillit dhe bashkëpunimit të një shumice të madhe prej jush, përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%. Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%,” është shprehur Kurti në një postim në rrjetin social, Facebook.

Ai ka përmendur edhe dyfishimin e numrit të personave që janë shëruar nga koronavirusi në raport me ata që janë infektuar me këtë virus një ditë më parë.

“Dje, për herë të parë që nga ardhja e koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme”, ka shtuar mes tjerash Kurti.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 780 persona janë infektuar, 201 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG