Ndërlidhjet

Pompeo: SHBA-ja "nuk e ka parë" liderin verikorean së fundmi


Lideri verikorean, Kim Jong-un.

Zyrtarët amerikanë “nuk e kanë parë” liderin verikorean, Kim Jong-un së fundmi dhe janë duke shikuar nga afër raportimet për shëndetin e tij, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Ai po ashtu ka shprehur shqetësim se ky shtet i izoluar mund të goditet nga koronavirusi apo uria.

Në vitet 1990 një krizë e madhe e urisë besohet se ka lënë të vdekur qindra mijëra verikoreanë.

Kim, 36-vjeçar është parë për herë të fundit në media më 12 prill, duke nxitur dyshime se është i sëmurë seriozisht.

Mirëpo zyrtarët në Korenë Jugore kanë thënë se këto raportime nuk janë të vërteta.

Në mesin e supozimeve ka qenë edhe ai se “lideri suprem” i Koresë Veriore mund të jetë duke qëndruar një pushimore në Wonsan për ta mbrojtur veten nga ekspozimi i mundshëm i koronavirusit.

Territori verikorean ka mbyllur kufijtë në fund të muajit janar për shkak të pandemisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka “ide shumë të mirë” për gjendjen e Kimit, mirëpo ka thënë se “nuk mund të flasë për këtë çështje”.

“Unë vetëm i uroj atij të mira”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Trump ka takuar Kimin tri herë nga vitit 2018, mirëpo negociatat për denuklerizim ka muaj që janë bllokuar, pasi Koreja Veriore kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve para nisjes së procesit të çarmatosjes.

Trump në anën tjetër kundërshton këtë propozim.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG