Ndërlidhjet

Zëdhënësi i Qeverisë i kërkon Pacollit të kërkojë falje për deklaratën e "sulmit terrorist"


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij, se është frikësuar që institucionet e shtetit të Kosovës do të kryejnë “akt terrorist” ndaj tij, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Pacollit i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat kundër koronavirusit, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.

“Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar ai i intepretoi si frikë të tij për një ‘akt terrorist nga ana e shtetit’. Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish ministër i Punëve të Jashtme dhe ish president i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për ‘akt terrorist nga shteti”, ka shkruar ai.

Sipas Kryeziut, deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr këto deklarata.

"Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd ‘terrorist’, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli të enjten, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, ka thënë se gjatë kohës sa po fluturonte, nga Zvicra për në Kosovë, ka ndryshuar destinacion.

Këtë e kishte bërë, siç është shprehur Pacolli, pasi ishte frikësua nga ndonjë "sulm terrorist nga ana e institucioneve të Kosovës".

“Leja ime e fluturimit njëherë është anuluar. Është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera, kinse në dhënien e lejes duhet involvuar disa ministri vitale të Kosovës. Unë fluturoj me një fluturake. Unë herën e parë jam frikësuar nga institucionet e shtetit se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në mua, andaj kam ndryshuar destinacion”, ka thënë Pacolli.

Qeveria në detyrë e Kosovës kishte kërkuar nga Pacolli që me të ardhur në Prishtinë të vendosej në karantinë sikurse të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet tjera.

Por, Pacolli kishte kërkuar të mos i nënshtrohej këtij rregulli duke thënë se ai nuk po lejohet të kthehet në Kosovë "për të penguar zgjedhjen e qeverisë së re”.

Autoritetet në Kosovë kanë marrë vendim që secili person që hyn në Kosovë duhet të vendoset në karantinë, përkatësisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë kanë konfirmuar se i janë nënshtruar karantinës 14-ditore.

XS
SM
MD
LG