Ndërlidhjet

Ambasadori britanik bën thirrje për respektim të Kushtetutës


Ilustrim.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se marrë parasysh zhvillimet e fundit politike, respektimi i Kushtetutës, nga të gjitha palët politike, është më i rëndësishëm se kurrë.

“Kjo përfshin rolin e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të jetë të gjendje të veprojë e pavarur, pa frikë dhe favore, lidhur me ligjshmërinë e veprimeve politike të të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë”, ka thënë Abbott përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Reagimi i tij vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim rreth kërkesës së dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje për ligjshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.

Vetëvendosje ka kërkuar nga kjo Gjykatë edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së.

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

XS
SM
MD
LG