Ndërlidhjet

Çekia rihap transportin ndërkombëtar nga 11 maji


Pragë, Çeki

Qeveria e Çekisë tha të hënën se do të heqë kufizimet në transportin rrugor dhe hekurudhor ndërkombëtar, nisur nga data 11 maj, dhe se do të lehtësojë edhe masa të tjera, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka ndaluar transportin ndërkombëtar qysh më 14 mars.

Qeveria i ka mbyllur kufijtë dy ditë më vonë, për t’i rihapur ata në fund të prillit, me kushtin që udhëtarët të kenë test negativ të koronavirusit ose t’i nënshtrohen karantinës për dy javë.

“Po i lehtësojmë kufizimet në transport. Kalimi i kufijve do të jetë i mundshëm me autobusë dhe trena”, tha ministri i Transportit i Çekisë, Karel Havlicek.

Kinematë, parukeritë dhe qendrat tregtare janë në mesin e bizneseve që po ashtu do të rihapen nga 11 maji.

Po nga ajo datë do të lejohen edhe ngjarjet publike me më së shumti 100 njerëz.

Garat sportive do të lejohen po ashtu me numër të kufizuar ta audiencës.

Çekia ka mbi 7,700 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 251 viktima.

XS
SM
MD
LG