Ndërlidhjet

SHBA: Hidhen poshtë akuzat ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare


Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në SHBA, Michael Flynn.

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë akuzat penale kundër ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Flynn ishte ndër zyrtarët e parë që u përfshi në hetimet e zhvilluara në SHBA lidhur me një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet Rusisë dhe ekipit të fushatës zgjedhore të presidentit amerikan, Donald Trump, më 2016.

Në dokumentet gjyqësore të paraqitura më 7 maj, Departamenti i Drejtësisë tha se po heq akuzat kundër Flynn pas një "shqyrtimi të të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj çështje", raporton AP.

Flynn u shkarkua nga Trumpi në shkurt të vitit 2017, pasi kishte shërbyer si këshilltar i Sigurisë Kombëtare, për më pak se një muaj.

Shkarkimi i tij ndodhi pasi u zbulua se ai e kishte gënjyer nënpresidentin amerikan, Mike Pence, për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetor të vitit 2017, Flynn u deklarua fajtor lidhur me akuzat se ai e gënjeu Byron Federale të Hetimeve (FBI) për bisedat e tij me ambasadorin rus.

Departamenti i Drejtësisë tha se kishte arritur në përfundimin se intervista e FBI-së, në janar të vitit 2017, me Flynn ishte "zhvilluar pa ndonjë bazë të ligjshme hetimore".

Vendimi u mirëprit nga presidenti Trump, i cili tha se Flynn ishte "një njeri i pafajshëm".

Në muajt e fundit, avokatët e Flynn kanë ngritur një seri akuzash në lidhje me veprimet e FBI-së dhe kërkuan të tërhiqej fajësia e klientit të tyre.

XS
SM
MD
LG