Ndërlidhjet

Babai dhe i biri akuzohen për vrasjen e një vrapuesi me ngjyrë në SHBA


Ilustrim.

Një baba me të birin e tij janë arrestuar dhe akuzuar në shtetin amerikan, Xhorxhia, për vrasjen e Ahmud Arbery, një vrapuesi me ngjyrë, i cili ka qenë i paarmatosur.

Gregory McMichael, 64-vjeçar dhe Travis McMichael, 34-vjeçar janë ndaluar të enjten nga Byroja shtetërore e Hetimeve.

Ata janë akuzuar për vrasje dhe sulm të rëndë, kanë thënë hetuesit në një deklaratë.

Arbery, 25-vjeçar, ka qenë duke vrapuar në muajin shkurt kur është përballur me dy burrat.

Dështimi për të ngritur akuza kundër tyre, që janë të bardhë, disa javë pas incidentit, pati nxitur zemërim të madh publik.

Byroja e Hetimeve ka thënë se të dy burrat kanë qëlluar Arberyn me armë zjarri, derisa ka qenë i riu McMichales që e ka lënë atë të vdekur.

Babai i viktimës, ka thënë për kanalin PBS, të enjten se djali i tij vetëm ka ushtruar në atë zonë dhe ka banuar bashkë me nënën e tij.

“Nuk e di pse raportojnë për racën e tij”, ka thënë ai, pasi sipas tij, “krejt çfarë ka bërë ai ka qenë përkujdesje për trupin e tij, pasi ka pasur ëndrra”.

I pyetur nëse qëndrojnë supozimet se djali i tij mund të jetë përfshirë në ndonjë vjedhje, Arbery ka thënë se të gjitha pretendimet janë “gënjeshtra”.

XS
SM
MD
LG