Ndërlidhjet

Vuhani planifikon ta testojë gjithë popullatën për koronavirus


Vuhan, Kinë

Qyteti Vuhan i Kinës është duke hartuar plane për testimin e të 11 milionë banorëve të tij për koronavirus, raportojnë mediat shtetërore.

Sipas tyre, plani është ende në fazat fillestare dhe të gjitha qarqeve në Vuhan u janë kërkuar detaje se si mund ta bëjnë testimin brenda dhjetë ditësh.

Këto raporte vijnë pasi Vuhani – vendi i origjinës së koronavirusit – ka regjistruar gjashtë raste të reja gjatë fundjavës.

Përpara tyre, ai nuk ka pasur asnjë rast të ri qysh më 3 prill.

Vuhani, i cili ka qenë në izolim të plotë për 11 javë, ka nisur të rihapet më 8 prill.

Në total, Kina ka raportuar për mbi 84,000 raste me koronavirus dhe mbi 4,600 viktima.

Të martën, autoritetet kineze thanë se kanë regjistruar vetëm një rast të ri.

XS
SM
MD
LG