Ndërlidhjet

Qeveria në detyrë shkarkon drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil


Ilustrim.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka shkarkuar Eset Berishën nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Në njoftimin e Qeverisë në detyrë është thënë se Eset Berisha është shkarkuar për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”.

“Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”, është thënë në njoftim.

Në vend të Berishës, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës është emëruar Arianit Islami.

Eset Berisha ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Berlin që ka nënshkruar marrëveshjen për rivendosjen e një linje ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump për negociata mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore dhe asaj për hekurudhat, Qeveria, tashmë në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti kishte deklaruar se zyrtarët që morën pjesë në arritjen e marrëveshjeve në Berlin nuk kishin marrë autorizim as për të negociuar e as për të nënshkruar një marrëveshje të tillë.

XS
SM
MD
LG