Ndërlidhjet

Heldt dhe Apostolova i reagojnë Pacollit për çështjen e vizave


Ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt dhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, i kanë reaguar ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli për komentet e tij sa i takon lehtësimit të vizave që Bashkimi Evropian bëri për Bjellorusinë.

Pacolli kërkoi përgjigje nga ambasadori gjerman, Christian Heldt, dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, për faktin nëse ata kanë ndonjë gjë për të thënë sa i takon vendimit të BE-së për lehtësimin e vizave për Bjellorusinë, derisa Kosova sipas tij, pret liberalizimin që një kohë të gjatë.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, tha se vendimi për Bjellorusinë nuk është heqje e vizave.

“Mirë, por pse nuk do të duhej që për hir të njerëzve atje të bëjmë atë që aplikojmë në Kosovë që nga pavarësia në vitin 2008? Lehtësimi i vizave nuk është liberalizim i vizave. Vetëm sa për të sqaruar se për çfarë po flasim”, ka shkruar ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

Ndërkohë shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se Kosova ka kapërcyer këtë hap kohë më parë.

“BE-ja nënshkroi marrëveshjen për lehtësimin e viza me Bjellorusinë e që është një kategori nën marrëveshjen për heqjen e vizave që Kosova është afër përmbylljes me Bashkimin Evropian. Marrëveshja e lehtësimit është një hap fillestar për ta bërë lëshimin e vizave më të lehtë dhe jo për t'i shfuqizuar ato. Flamuri i Kosovës anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt për heqjen e vizave”, ka shkruar Apostolova.

Këto komente u bënë në rrjetin social Twitter.

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane.

Procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur në Bruksel në ndërkohë që liderët politikë në Kosovë vazhdimisht kanë thënën se janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG