Ndërlidhjet

Mustafa dhe Lajçak bisedojnë për mundësinë e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi të LDK-së, kryetari Mustafa ka thënë se kjo parti është e fokusuar që dialogu të filloj shpejtë dhe të rezultoj me njohje reciproke, si dhe të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Lajçak është emëruar në fillim të muajit prill si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka deklaruar se detyra e tij është që ta përfundojë suksesshëm këtë dialog dhe të sigurojë që Kosova dhe Serbia një herë e përgjithmonë t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Për këtë, ai ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në.

Që nga 1 prilli, kur Qeveria në detyrë e Kosovës shfuqizoi në tërësi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, masë kjo që shihej si pengesë për vazhdimin e bisedimeve, nga Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare janë dërguar sinjale se barrierat mes palëve për dialogun po tejkalohen.

Një qasje e tillë e BE-së dallon nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, krahas shfuqizimit të taksës, i kanë kërkuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që të mos e vë në zbatim as masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, pasi që edhe ajo masë shihet si një pengesë për të vazhduar dhe përmbyllur dialogun, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve.

Muajve të fundit, në këtë proces është vërejtur një rol më i fuqishëm dhe më aktiv i SHBA-së dhe përfaqësuesit të presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

Nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia u pajtuan në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore, Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave që do t'i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.

XS
SM
MD
LG