Ndërlidhjet

Policia e Kosovës ndalon 25 persona që s’i respektuan masat kundër koronavirusit


Policia e Kosovës

Për shkak të mosrespektimit të masave të vendosura për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, Policia e Kosovës ka ndaluar 25 persona.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, numri më i lartë i të ndaluarve është në Mitrovicën e Jugut, gjithsej 15-të.

Të hënën në Kosovë ka nisur faza e dytë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Në këtë fazë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG