Ndërlidhjet

Së paku shtatë të vrarë nga një sulm i talibanëve në Afganistan


Harta e Afganistanit.
Harta e Afganistanit.

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm i talibanëve, që kishte në shënjestër një bazë të inteligjencës afgane.

Arif Noori, zëdhënës i guvernatorit të provincës lindore Ghazni, tha se një sulmues vetëvrasës, përdori një automjet të vjedhur ushtarak, i cili ishte i mbushur me eksploziv dhe e shpërtheu atë pranë hyrjes në bazë.

Talibanët morën përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se nga incidenti janë vrarë dhe plagosur "dhjetëra" forca speciale.

Një zyrtar tjetër në administratën e provincës Ghazni, Wahidullah Jumazada, tha se sulmi "kishte në shënjestër Drejtorinë Kombëtare të Sigurisë".

"Shumica e viktimave janë personel i inteligjencës", shtoi ai.

Sulmi vjen një ditë pasi presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, dhe rivali i tij politik, Abdullah Abdullah, arritën një marrëveshje për ndarjen e pushtetit që i dha fund një përçarjeje politike e cila ka zgjatur për disa muaj.

Marrëveshja politike i mundëson Kabulit të nisë bisedime të drejtpërdrejta me talibanët, si pjesë e një përpjekjeje të Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar arritjen e paqes.

Talibanët kanë rritur numrin e sulmeve në javët e fundit përkundër premtimit për të ulur dhunën, ndërsa militantët e grupit ekstremist Shteti Islamik gjithashtu vazhdojnë të shënjestrojnë forcat afgane të sigurisë dhe civilët.

XS
SM
MD
LG