Ndërlidhjet

Franca, Gjermania propozojnë plan të ndihmës prej qindra miliarda eurosh


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë propozuan një fond të rimëkëmbjes, në vlerë prej 500 miliardë eurosh, që do t’i ndihmojë vendet më të goditura të BE-së nga koronavirusi.

Shuma do t’i shtohet një pakete të madhe kredie, në vlerë prej 540 miliardë eurosh, e cila do të lëshohet përmes mekanizmave ekzistues të BE-së nga 1 qershori.

Fondi i ri ende ka nevojë për miratimin e të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ai u bë publik përmes një video-konference të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Macron tha se kjo ndihmë do të përbëhet nga grantet dhe jo nga kreditë.

Merkel tha se kostoja mund të shpërndahet në buxhetet e ardhshme të BE-së.

Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë eknomitë e vendeve të Evropës, të cilat janë detyruar të mbyllin përkohësisht bizneset për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Gjermania, ekonomia më e fuqishme në Evropë, ka rrëshqitur javën e kaluar në recesion.

Numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi e kanë Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca, ndërsa në aspektin global prin SHBA-ja.

XS
SM
MD
LG