Ndërlidhjet

Testimi i një vaksine kundër koronavirusit jep shenjat e para premtuese


Ilustrim

Shenjat e parë se një vaksinë mund ta përgatisë sistemin imunitar të njerëzve për të luftuar koronavirusin, u raportuan nga një kompani në Shtetet e Bashkuara.

Moderna tha se antitrupat neutralizues janë gjetur në tetë personat e parë që kanë marrë pjesë në testim.

Kompania po ashtu tha se reagimi imunitar ka qenë i ngjashëm te njerëzit e infektuar me virusin aktual.

Testime më të mëdha për të parë nëse vaksina në të vërtetë mbron nga infeksioni, pritet të fillojnë në korrik.

Puna për krijimin e një vaksine kundër koronavirusit është duke u zhvilluar me një shpejtësi të paparë - rreth 80 grupe në të gjithë botën janë duke bërë përpjekje.

Moderna është e para që teston një vaksinë eksperimentale, të quajtur mRNA-1273, në njerëz.

Vaksina është një copëz e vogël e kodit gjenetik të koronavirusit, që injektohet te pacienti.

Ajo nuk ka kapacitet të shkaktojë infeksion ose simptoma të koronavirusit, por është e mjaftueshme për të nxitur reagime nga sistemi imunitar.

Testimet e vaksinës, të udhëhequra nga Instituti për Alergji dhe Sëmundje Infektive i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, treguan se ajo çon në prodhimin e antitrupave që mund të neutralizojnë koronavirusin.

Megjithatë, testimi është bërë vetëm në tetë njerëzit e parë, nga 45 sish.

Koronavirusi ka prekur mbi 4.7 milionë njerëz në gjithë botën, ndërsa ka vrarë afro 317,000.

XS
SM
MD
LG