Ndërlidhjet

Policia e Kosovës po heton pretendimet për kërcënime ndaj Kurtit


Ilustrim.
Ilustrim.

Policia e Kosovës ka thënë të mërkurën se është duke trajtuar pretendimet për kërcënime ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në këtë institucion ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve dhe se të gjitha veprimet janë duke marrë në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kabineti i kryeministrit në detyrë Kurti, ka dërguar rastin e, siç thuhet, kërcënimit në Policinë e Kosovës.

Kurti ka pretenduar të martën se është kërcënuar nga, siç është shprehur ai, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare".

Në shkresën e kësaj Garde, të publikuar nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet organizatë kriminale, derisa thuhet se pas informatave për organizim të protestave në Prishtinë më 29 maj, njësitet e Gardës në fjalë “do të jenë gjithandej dhe ku do të paraqitet nevojë do t’i dalim në mbrojtje vendit”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se kërcënimet nuk i janë drejtuar atij.

“Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, ka deklaruar ai, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Kurti me këtë rast i është referuar rastit të dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë gjykatë, për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Thaçit deri më 29 maj derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Vendimi i Thaçit ka ardhur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë të udhëhequr nga Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

XS
SM
MD
LG