Ndërlidhjet

Rusia do të zhvillojë paradë në përkujtim të Luftës së Dytë Botërore


Foto nga arkivi.

Rusia do të zhvillojë një paradë ushtarake për të shënuar 75-vjetorin e Ditës së Fitores përgjatë Luftës së Dytë Botërore, pas shtyrjes së festimeve, si pasojë e përhapjes së koronavirusit, ka njoftuar presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin është detyruar të anulojë paradën për shënimin e kësaj dite më 9 maj, pasi shtimit të numrit të personave të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Zakonisht, në Ditën e Fitores në Rusi shihen radhë të gjatë të ushtarëve, veteranëve, pajisje moderne ushtarake, dhe makina historike të Ushtrisë së Kuqe në Sheshin e Kuq të Moskës.

Në ditën kur do të duhej të organizohej parada, në Rusi janë zhvilluar ceremoni të vogla përkujtimore, mirëpo tani Putin i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të nisë përgatitjet për festë muajin e ardhshëm.

“Ne do ta zhvillojmë atë më 24 qershor, në ditën kur është zhvilluar paradë legjendare e fituesve më 1945”, i ka thënë Putin ministrit rus të martën përmes një adresimi televiziv.

Përkujtimet e Ditës së Fitores janë të rëndësishme për kalendarin e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat së bashku kanë humbur 26 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG