Ndërlidhjet

Hoti pas vendimit të Kushtetueses: Është koha të bashkohemi, askush nuk ka humbur


Avdullah Hoti, foto nga arkivi.

I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk gjeti shkelje, sa i përket procedurës së mandatimit të tij për këtë post, nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

“Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pretendonte se mandatimi i Hotit nga ana e kryeministrit Thaçi ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuesja tha në vendimin e saj se pas mocionit të suksesshëm ndaj Qeverisë së Kosovës, nëse partia fituese e zgjedhjeve – në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar – nuk dërgon emrin e mandatarit të ri për kryeministër, kjo e drejtë mund t’i kalojë një partie tjetër, e cila i garanton presidentit se ka shumicën në kuvend për ta formuar qeverinë.

Vetëvendosje dhe LDK pas zgjedhjeve të tetorit arritën marrëveshje koalicioni. Qeveria e tyre u formua në shkurt të këtij viti, por u rrëzua më 25 mars, nga një mocion mosbesimi që u ngrit nga LDK-ja.

XS
SM
MD
LG