Ndërlidhjet

Konfirmohen edhe 13 raste me COVID-19 në Kosovë


Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se të dielën janë konfirmuar edhe 13 raste me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 10 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Vushtrri, 1 rast Mihaliq dhe 1 rast Ceceli), komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë", thuhet në njoftimin e Institutit.

Që nga fillimi i epidemisë në Kosovë janë shënuar 1.083 raste me koronavirus, ndërsa prej tyre 30 kanë vdekur.

Po të dielën janë shëruar edhe dy pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 843.

Të hënën në Kosovë do të hyjë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se që nga dita e hënë, do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.

"Shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve të Kosovës, por të gjithë personat obligohen t'iu nënshtrohen kontrollave mjekësore në kufi dhe t'i zbatojnë masat kundër Covid-19", tha Kurti gjatë një konference për media së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministria Vitia tha se do të hapen këto pika kufitare: Merdare, Vërmicë, Kullë Hani Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.

"Të gjithë personat që hyjnë dhe posedojnë rezultat negativ të testit COVID-19 jo më të vjetër se katër ditë, nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Kurse ata që nuk e kanë testin detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë", tha ai.

Pas një jave, sipas ministrit Vitia, do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes së kufijve ajror.

Në kuadër të lehtësimit të masave, qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, nga dita e hënë.

"Nga dita e hënë, do të rihapen çerdhet dhe kopshtet për moshat 0 deri 5 vjet, zyrtarët publik do të kthehen në punë në të gjitha institucionet dhe do të lejohen shërbimet e taksive", tha Vitia.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.

XS
SM
MD
LG