Ndërlidhjet

Lajiq: Për shkak të masave të Kosovës, kamionët e Serbisë po kthehen prapa


Ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Lajiq, tha se që nga ndërmarrja e masave të reja tregtare nga Qeveria në detyrë e Kosovës, kamionët nga Serbia po kthehen prapa në vendkalimet në Kosovë, sepse “asnjëri nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga Dogana e Kosovës”.

“Nuk e di nëse do të ketë raste individuale, është e vështirë të parashikohet në këtë moment, por sigurisht se nuk do të ketë tregti serioze, sepse pengesat formale janë të natyrës së tillë që e ndalojnë atë”, tha Lajiq për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 28 maj, ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

"Me të ashtuquajturat masa reciproke, dërgimi i mallrave nga Serbia në Kosovë është zyrtarisht i kufizuar dhe i ndaluar, sepse kushtet janë të tilla që asnjë kompani nga Serbia nuk mund t’i përmbushë ato”, tha Lajiq, duke shtuar se masat e reja “nënkuptojnë ndërprerjen e të gjithë tregtisë në mes të Beogradit dhe Prishtinës".

Ai tha se masat e reja u referohen deklaratave dhe certifikatave fitosanitare dhe veterinare, të cilat duhet të përmbajnë shenjën se mallrat po shkojnë në Republikën e Kosovës.

“Kjo, në të vërtetë, do të nënkuptonte njohjen e Kosovës dhe autoritetet tona kufitare nuk mund të pranojnë dokumente të tilla dhe ato mallra nuk mund të kalojnë në territorin e Kosovës”, tha Lajiq.

Ai deklaroi se nga 1 prilli, kur është hequr taksa 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, deri më 25 maj, në Kosovë kanë hyrë mallra nga Serbia në vlerë prej 34.8 milionë eurosh.

“Gjatë pandemisë [së koronavirusit], Kosovës i duheshin mallra, sidomos lëndët e para nga Serbia, dhe nuk kishte kushte shtesë pas heqjes së taksës 100 për qind. Asnjë masë ose procedurë speciale nuk kërkohej në vendkalimet administrative dhe mallrat shkuan pak a shumë pa probleme në tregun e Kosovës”, tha Lajiq për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të dielën se masat e Prishtinës e shkelin marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA.

Vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës është kritikuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se këto masa e dëmtojnë dialogun.

XS
SM
MD
LG