Ndërlidhjet

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Votohet Qeveria Hoti, Kurti e quan të paligjshme

  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, kanë votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
  • Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të Kosovës, pasi përmes mocionit të mosbesimit ishte rrëzuar Qeveria Kurti.
  • Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit.
  • Më 28 maj, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë së re.
  • Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar formimin e qeverisë së re dhe ka kërkuar zgjedhje të reja.
  • Shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu dhe heqja e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet, u bënë shkaktare të prishjes së koalicionit LVV-LDK pas më pak se 50 ditësh.
19:17 3.6.2020

Kurti: Kjo qeveri është e paligjshme dhe qeveri koti

Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “qeveri e paligjshme” dhe siç u shpreh ai “koti”.

Përmes një video-mesazhi nga zyra e kryeministrit, Kurti tha se të enjten nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së kryeministrit te Hoti.

“Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, tha lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Hotin për kryeministër, Kurti tha se me këtë vendim, Kushtetuesja ka zhvlerësuar veten.

“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar vetën e tyre si Gjykatë”, tha Kurti.

Kuvendi i Kosovës votoi të mërkurën për Qeverinë Hoti me 61 vota për. Deri te kjo erdhi pasi qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars.

19:11 3.6.2020

Mustafa, deputetëve: Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka konsideruar të mërkurën, si ditë të madhe për Kosovën, pas zgjedhjes së Avdullah Hotit si kryeministër i Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka uruar të gjitha partitë e koalicionit dhe partitë tjera që kanë votuar përbërjen e re qeveritare.

“Urime deputetë që votuat pa hezituar dhe pa u frikësuar! Vota juaj do ta shpëtojë Kosovën. Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkencore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz. Nuk e ofendoi askënd; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë gjatë ditës së mërkurë, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për qeverinë e re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për derisa vota e deputetit Shala po konsiderohet vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

18:50 3.6.2020

Rama uron "rrugëtim të mbarë" për qeverinë e re dhe opozitën në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka uruar rrugëtim të mbarë Qeverisë së re në Kosovë, pas votimit të qeverisë së Avdullah Hotit të mërkurën nga 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç qeverisë, Rama ka uruar të njëjtën gjë edhe për opozitën në Kosovë, duke shpresuar se të dyja palët do të “bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

18:17 3.6.2020

Të enjten Hoti do ta marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit

Avdullah Hoti do të marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës të enjten (4 qershor).

Kështu thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ku thuhet se ceremonia e marrjes së detyrës së kryeministrit nga Hoti do të mbahet duke filluar nga ora 9:00.

Megjithatë në njoftim nuk thuhet nëse kryeministri në largim, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, do të jetë i pranishëm në këtë ceremoni.

Kuvendi i Kosovës të mërkurën votoi qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeveria mori mbështetjen e 61 deputetëve. Koalicioni i ri qeverisës përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG