Ndërlidhjet

Prokuroria po heton incidentin me pjesëtarët e mbrojtjes së presidentit Thaçi


Policia e Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se Prokuroria e Shtetit bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Si prokuroria ashtu edhe Inspektorati Policor po trajtojnë shumë seriozisht çdo pretendim të sjelljes së kundërligjshme dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në oborrin e presidencës ka mbajtur një konferencë për media dhe gjatë kësaj konferencë një aktivist nga Lëvizja Vetëvendosjes ka tentuar të hyjë në oborrin e Kuvendit ku po mbahej një konferencë.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate të lëshuar të mërkurën ka thënë se pjesëtarët e mbrojtjes së presidentit kanë përdorur dhunë ndaj aktivistit Veron Hasani.

"Truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh. Aktivisti Veron Hasani ka thirrur 'o hajn!', duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Presidenti Thaçi në një intervistë për televizionin T7 ka thënë se "duhet të marrin fund provokimet e Albin Kurtit (kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje) dhe njerëzve të tij ndaj bartësve të institucioneve".

Thaçi tha se personeli i mbrojtjes së tij e kanë kryer punën në mënyrë profesionale.

Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’i drejtohen autoriteteve përkatëse.

XS
SM
MD
LG