Ndërlidhjet

Njëzet pacientë me Covid-19 të shtrirë në Klinikën Infektive


Ilustrim.

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se të hënën aty janë të hospitalizuar 20 pacientë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet me mjekim intensiv, pesë pacientë tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërkaq 14 të tjerët janë në gjendje stabile.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste.

Prej tyre 31 pacientë kanë vdekur dhe 890 pacientë janë shëruar.

Mikrobiologu Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka thënë të hënën se nëse rritja e numrit të rasteve të reja me koronavirus shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme e vendit është opsion real.

Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës që t’i respektojnë masat mbrojëse, në mënyrë që virusi të mbahet nën kontroll.

XS
SM
MD
LG