Ndërlidhjet

Prishtinë: Mbyllen tri kopshte të fëmijëve, u identifikuan raste me Covid-19


Ilustrim.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti, ka bërë të ditur se të hënën janë mbyllur tri kopshte të fëmijëve, pas identifikimit të rasteve të infektuara me koronavirusin e ri.

Sipas Ahmetit, dy fëmijë kanë rezultuar pozitivë, derisa në një njërin prej kopshteve është thënë se bashkëshorti i një edukatoreje është prekur po ashtu nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

“Për shkak të kujdesit ne kemi vendosur t’i mbyllim këto kopshte, t’i dezinfektojmë. Nesër do të testohen të gjithë fëmijët e atyre dy klasave për të parë a ka pasur ngjitje të virusit më tutje. Jemi duke punuar, ku janë kontaktet e tyre në mënyrë që të kufizojmë shpërndarjen e virusit”, ka thënë Ahmeti në një konferencë për media.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se tani për tani nuk do të ketë rikthim të menjëhershëm të masave të izolimit, ndonëse ka thënë se nuk do të hezitohet në mbylljen e kopshteve të fëmijëve apo lokaleve, që potencialisht mund të jenë vatra të përhapjes së virusit.

Në Kosovë vetëm gjatë ditës së dielës janë regjistruar 40 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur dhe 890 pacientë janë shëruar.

XS
SM
MD
LG