Ndërlidhjet

Në Hong Kong shënohet përvjetori i protestave kundër qeverisë


Pamje nga protestat e së martës në Hong Kong.

Qindra persona kanë marshuar nëpër rrugët e Hong Kongut për të shënuar përvjetorin e nisjes së protestave kundër-qeverisë vitin e kaluar.

Protestuesit kanë marshuar në qendër të qytetit duke mbajtur mbishkrimet si “Pavarësia e Hong Kongut, zgjidhja e vetme” dhe “Luftë deri në fund”.

Policia më pas është nisur drejt tyre, duke hedhur sprej piperi dhe duke arrestuar disa prej protestuesve.

Ata janë mbledhur edhe nëpër qendra tregtare, duke bërë thirrje për “çlirim të Hong Kongut”.

Policia ka paralajmëruar se forca mund të përdoret për të ndalur marshet dhe se të ndaluarit përballen me pesë vjet burgim.

Më 9 qershor të vitit të kaluar, më shumë se 1 milion persona kanë marshuar nëpër rrugët e Hong Kongut, për të protestuar kundër një projektligji për ekstradimin, që do t’iu mundësonte autoriteteve dërgimin e njerëzve në Kinë, në gjykatat e kontrolluara nga Partia Komuniste.

Këto protesta kanë qenë pikënisje e një vargu organizmesh tjera, në të cilat është shprehur shqetësim për lirinë e Hong Kongut.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, ka pezulluar më vonë atë ligj, ndonëse kërkesat tjera të protestuesve nuk janë marrë parasysh.

Mirëpo qytetarët e Hong Kongut rrezikojnë të dalin sërish në rrugë, pas miratimit të ligjit të ri për sigurinë.

Ligji i ri, i miratuar nga Kina, i cili ndalon tradhtinë, shkatërrimin, sulmin dhe ndërhyrjen e huaj, është parë nga aktivistët pro-demokracisë si pjesë e shtypjes së të drejtave speciale që gëzon Hong Kongu.

Ky vend funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Në marrëveshjen, përmes së cilës Londra i ka dorëzuar këtë territor Kinës më 1997, është thënë se Hong Kongu duhet t’i gëzojë të drejtat speciale deri më 2047.

XS
SM
MD
LG