Ndërlidhjet

Hoti takon ambasadorët e shteteve të Quint-it


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të premten në takim ambasadorët e shteteve të Quint-it, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në këtë vend.

Vendet e Quint-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Në një komunikatë të kryeministrisë, është thënë se Hoti i ka njoftuar ambasadorët për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, angazhimin maksimal për rimëkëmbjen ekonomike, luftën kundër pandemisë së koronavirusit si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rifillimin e procesit të dialogut me Serbinë, në funksion të stabilitetit rajonal dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore.

Në këtë takim e pranishme ka qenë edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Një ditë më parë, përfaqësuesit këtyre vendeve u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të diskutojnë për sfidat dhe mundësitë e Kosovës “pa fyerje dhe kërcënime”.

“E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqëror dhe respektimit të lirisë së shprehjes”, është thënë në deklaratë.

XS
SM
MD
LG