Ndërlidhjet

Pas 24 ditësh pa infektime, Zelanda e Re regjistron dy raste me koronavirus


Zelandë e Re, foto nga arkivi.
Zelandë e Re, foto nga arkivi.

Zelanda e Re ka njoftuar të martën se ka regjistruar dy raste të reja me koronavirus – që janë qytetarë që së fundmi kanë udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto janë dy rastet e para me koronavirus, pasi për 24 ditë rresht, Zelanda e Re nuk kishte regjistruar asnjë infektim me këtë virus.

Zelanda e Re ka hequr të gjitha kufizimet sociale dhe ekonomike javën e kaluar, përveç kontrolleve në kufi, pasi që kishte deklaruar se nuk ka raste aktive me koronavirus, duke u bërë kështu njëra ndër vendet e para në botë që iu rikthye normalitetit pas masave kufizuese.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka paralajmëruar se numri i rasteve të reja mund të rritet në të ardhmen, teksa qytetarët e këtij shteti po kthehen nga jashtë vendit.

Dy rastet e reja janë dy gra të moshave rreth të 30-tave dhe 40-tave, që kishin vizituar prindërit e tyre në Uellington, njoftuan autoritetet shëndetësore.

Dy gratë kishin arritur nga Britania në Zelandën e Re më 7 qershor. Ato kishin pasur leje të posaçme që të vizitonin prindërit e tyre, të cilët kanë qenë të sëmurë.

Që të dyja janë izoluar tashmë, thanë autoritetet.

Me dy rastet e reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Zelandën e Re arrin në 1,506, teksa 22 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG