Ndërlidhjet

Caktohet takimi Thaçi-Lajçak


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçakun pritet të vijë të martën në Kosovë.

Është paralajmëruar që Lajçak do të zhvillojë disa takime të martën, përfshirë edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky takim pritet të ndodhë në zyrën e presidentit në ora 17:00.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do ta takojë sot përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Takimi do të mbahet në orën 17:00, në zyrën e presidentit”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Zyra e Presidentit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Më herët gjatë ditës gjatë një konference për media, Thaçi kishte thënë se nuk do të takohet me të dërguarin e BE-së, nëse ai nuk ka diçka konkrete për të thënë.

“Lajçak ende nuk është në Kosovë, kur të mbërrijë do të komunikojnë ekipet tona dhe do të shohim. Nëse Lajçak ka diçka konkrete për të thënë, jam i gatshëm të takohem. Përndryshe nuk ka arsye”, deklaroi Thaçi.

Në fillim të muajit prill të këtij viti, Miroslav Lajçak u emëruar si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

XS
SM
MD
LG