Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron 11 të vdekur dhe 185 raste të reja me Covid-19


Shkup, foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 11 të vdekur nga Covid-19, që paraqet shifrën më të lartë të viktimave që nga paraqitja e koronavirusit të ri.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, tetë të vdekur janë regjistruar në Shkup, dhe nga një në Kumanovë, Shtip dhe Tetovë.

Viktimat janë të moshës mes 53 e deri në 76 vjeç, të cilët po trajtoheshin në spitalin e Shkupit nga 5 qershori, por të gjithë ishin të sëmurë kronikë, që vuanin edhe nga shumë sëmundje tjera të rënda.

Me këta të vdekur, numri i përgjithshëm i viktimave nga Covid-19 (sëmundja që e shkakton koronavirusi), ka arritur në 233.

Sa i përket të infektuarve, nga testimi i 1,364 motrave për Covid-19, pozitivë kanë dalë 185 persona. Prej tyre, në Shkup 96, Dibër 18, Strugë 20, Tetovë, 14 ndërsa në 13 qytetet tjerë numri është më i vogël se pesë të infektuar.

Sipas raportit të publikuar, nga Covid-19 janë shëruar 41 pacientë, që po ashtu paraqet shifër të lartë të të shëruarve në ditët e fundit.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë testuar 50,384 persona dhe prej tyre 5,005 janë diagnostikuar me koronavirusin e ri dhe nga ky numër, 233 kanë vdekur, 2,868 janë ende pozitivë ndërsa 1,904 pacientë janë shëruar.

Drejtuesit e institucioneve kanë thënë se nuk planifikojnë rikthimin e masave, madje kanë vazhduar me lehtësimin e tyre dhe me vendim të qeverisë, kafenetë dhe objektet e hotelerisë në vend, nga e diela do të punojnë sipas orarit të punës të përcaktuar në licencat e tyre të punës, apo deri në mesnatë, ndërsa gjatë fundjavave deri në orën 01:00.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë thirrje për respektimin e masave që kanë të bëjnë me distancën fizike, pastrimin e duarve dhe mbajtjen e maskave.

XS
SM
MD
LG