Ndërlidhjet

Putin propozon rritje të tatimit në fitim për përfituesit e mëdhenj


Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka propozuar rritje të tatimit në të ardhura për përfituesit e mëdhenj, prej vitit tjetër, teksa ka bërë të ditura masat që do të marrin autoritetet për të luftuar dëmet ekonomike, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Putin e ka bërë këtë njoftim në një adresim para kombit më 23 qershor, një javë para se të zhvillohet votimi për ndryshimet kontraverse kushtetuese, të cilat i mundësojnë liderit rus, që të qëndrojë në pushtet deri më 2036.

Presidenti rus ka propozuar që taksat të rriten për 2 qind, përkatësisht 15 për qind për personat që fitojnë mbi 72,700 dollarë në vit, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Nga kjo rritje, thesari shtetëror do të përfitonte 864.6 milionë dollarë shtesë, ka thënë Putin, duke shtuar se këto para do të shfrytëzohen për të trajtuar fëmijët “me sëmundje të rënda”.

Shkalla aktuale e tatimit në fitim prej 13 për qind, është prezantuar gjatë mandatit të parë presidencial të Putinit, më 2001.

Ai ka thënë se qeveria e tij do të vazhdojë të ofrojë ndihmë financiare përgjatë muajve korrik dhe gusht për qytetarët që kanë mbetur pa punë, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Presidenti rus ka propozuar edhe uljen e tatimit në fitim për kompanitë e teknologjisë informative nga 20 në 3 për qind.

Rusia deri më tani ka raportuar për gati 600,000 persona të prekur me koronavirus, shifrën e tretë më të madhe në botë.

Ky shtet i ka dhënë fund izolimit, mirëpo kriza e shkaktuar muaj më parë pritet të ndikojë në tkurrje ekonomike për 6 për qind këtë vit.

Putin ka përfunduar fjalimin e tij, duke u bërë thirrjeve shtetasve rusë që të votojnë ndryshimet kushtetuese më 1 korrik.

Nëse miratohen, ish-zyrtari i KGB-së, 67-vjeçar, mund të garojë edhe për dy mandate tjera si president, pasi t’i përfundojë mandati aktual më 2024.

Putin ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër nga viti 2000.

XS
SM
MD
LG