Ndërlidhjet

Ushtria e Kuqe e mbrojti botën, thotë Putin


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

“Është e pamundur të imagjinohet se çfarë do t'i ndodhte botës nëse Ushtria e Kuqe nuk do ta kishte mbrojtur atë”, tha të mërkurën presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai i bëri komentet në Sheshin e Kuq në Moskë, ku u mbajt parada për nder të Ditës së Fitores.

Dita e Fitores shënohet më 9 maj, por këtë vit është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sivjet janë bërë saktësisht 75 vjet prejse ushtria e Bashkimit të atëhershëm Sovjetik - që Putin iu referua si Ushtri e Kuqe - ka mposhtur Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Putin tha se ushtarët sovjetikë "nuk kishin nevojë për luftë, as për vendet e tjera, as për lavdi, as për nder”.

“Ata kanë dashur të mundin armikun, të fitojnë dhe të kthehen në shtëpi. Dhe, ata paguan një çmim të pazëvendësueshëm për lirinë e Evropës", tha Putin.

Izolimi në Moskë, për shkak të koronavirusit, është lehtësuar këtë muaj, duke i hapur rrugë edhe organizimit të paradës.

Parada përfshiu rreth 14,000 trupa nga 13 vende, më shumë se 200 automjete ushtarake, historike dhe moderne, dhe 75 avionë.

Shumica e trupave në paradë ishin nga Rusia.

Por, gjithashtu morën pjesë forca nga Azerbajxhani, Armenia, Bjellorusia, Kina, India, Kazakistani, Kirgizia, Moldavia, Mongolia, Serbia, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

Moskë, 24 qershor, 2020.
Moskë, 24 qershor, 2020.

Për presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ngjarje është veçanërisht e rëndësishme këtë vit, pasi mbahet para referendumit të 1 korrikut mbi ndryshimet kushtetuese, që do t’i mundësonin atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2036.

Edhe ky referendum ka qenë i planifikuar për 22 prill, por është shtyrë për shkak të pandemisë.

Rusia ka konfirmuar mbi 600,000 raste me koronavirus dhe mbi 8,000 viktima, edhe pse këto shifra besohet të jenë shumë më të larta.

Organizatorët e paradës kanë marrë parasysh rreziqet nga virusi.

Veteranët rusë të Luftës së Dytë Botërore, që e kanë shikuar atë, janë vendosur në një vend të veçantë dhe larg njëri-tjetrit.

Ushtarët që morën pjesë në paradë janë vendosur në karantinë gjatë provave dhe janë testuar.

Ndërkaq, shumë udhëheqës të huaj kanë qëndruar larg.

Presidenti i Francës, i Çekisë, i Kroacisë dhe i Kinës kanë thënë më herët se planifikojnë të ndjekin paradën, por i kanë anuluar udhëtimet pasi ajo është shtyrë për 24 qershor.

Presidenti i Bjellorusisë, i Kazakistanit, i Kirgizisë, i Moldavisë, i Serbisë, i Taxhikistanit dhe i Uzbekistanit kanë qenë të pranishëm në paradë.

XS
SM
MD
LG