Ndërlidhjet

OEAK bën thirrje për hapa konkret drejt rimëkëmbjes ekonomike


Prishtina, ilustrim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, të dielën u ka bërë thirrje akterëve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa konkret për rimëkëmbjen ekonomike dhe të ndalin luftën e brendshme politike.

Në komunikatë theksohet se në situatën aktuale nëpër të cilën po kalon sektori privat në veçanti dhe ekonomia e vendit në përgjithësi, është mëse e nevojshme që temat e natyrës politike dhe mospajtimet rreth tyre të mos mbidominojnë temat që lidhen me përkrahjen e sektorit privat dhe rikuperimin e ekonomisë pas pandemisë COVID19.

“Në rrethana të tilla veprimi i shpejtë dhe konsensual nacional është imperativ, prandaj Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u kërkon të gjitha institucioneve të Kosovës, ekzekutivit dhe legjislativit, por edhe partive politike që të shmangin luftën e brendshme politike dhe të ndjekin një agjendë dinamike të veprimeve që do të mundësonin ndërhyrjen e shpejtë të shtetit për ndërmarrjet dhe punonjësit e rrezikuar”.

“Moszbatimi deri në fund i masave të Pakos Emergjente Fiskale dhe vonesa në aprovimin e një programi të rimëkëmbjes, edhe për shkak të vonesës së aprovimit nga ana e Kuvendit të Kosovës të rishikimit buxhetor dhe marrëveshjeve të kredive ndërkombëtare, të cilat janë kyçe për zbatimin e masave të ndërhyrjes shtetërore, përbëjnë kërcënim serioz për dhjetëra mijëra vende të punës, thuhet në komunikatë.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ratifikojë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare pasi partitë opozitare nuk pranuan t’i votojnë ato.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë.

XS
SM
MD
LG