Ndërlidhjet

Thaçi paralajmëron dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza


Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.

“Nëse do të mund të kthehesha në vitet e errëta të [v.j. ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, do ta bëja gjënë e njëjtë, duke iu përgjigjur plumbit të armikut me plumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar”, tha Thaçi.

“Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë provë të vetme në adresë të Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji”, tha ai.

Thaçi tha se akuzat për krime lufte kundër tij janë "false".

Ai i bëri komentet në adresimin e parë për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar të mërkurën e kaluar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Krimet e dyshuara përfshijnë: vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të njerëzve, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë [v.j. emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë] janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme", ka thënë Zyra e Prokurorit Special përmes një komunikate për media të lëshuar më 24 qershor.

Çështja ka kaluar tani te gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do ta vërtetojë ose hedhë poshtë aktakuzën.

XS
SM
MD
LG