Ndërlidhjet

Krerët shtetërorë të Kosovës urojnë SHBA-në për Ditën e Pavarësisë


Flamuri i SHBA-së.

Krerët institucionalë të Kosovës i kanë uruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës 244-vjetorin e pavarësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për “mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë”.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se së bashku me ambasadorin amerikan në Prishtinë kanë ngritur flamurin e SHBA-së në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Osmani tha se vlerat e popullit amerikan do të jenë frymëzim i përhershëm për Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mesazhin e tij për nder të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së tha se kjo ditë është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike në mbarë botën.

“Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci”, tha Hoti.

SHBA-ja më 4 korrik feston 244-vjetorin e pavarësisë. Ky përvjetor, në SHBA po shënohet në kohën kur bota po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja ka mbi 2,7 milionë raste me koronavirus dhe mbi 125 mijë të vdekur.

XS
SM
MD
LG