Ndërlidhjet

Dhuna e militantëve po kërcënon procesin e paqes në Afganistan


Harta e Afganistanit
Harta e Afganistanit

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka paralajmëruar se një rritje e nivelit të dhunës nga ana e militantëve në vend, paraqet kërcënim "serioz" për procesin e paqes me talibanët.

Gjatë një konference ndërkombëtare, Ghani tha se niveli aktual i dhunës është më i lartë në krahasim me vitin e kaluar, edhe pse po bëhen përgatitjet për bisedime paqeje.

Në video-konferencë morën pjesë zyrtarë të lartë afganë, si dhe përfaqësues të më shumë se 20 vendeve të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Pakistanin, Indinë, Iranin, Kinën, Katarin, Kazakistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Azerbajxhanin.

"Nëse talibanët vazhdojnë luftimet, procesi i paqes afgane do të përballet me sfida serioze", tha Ghani.

Autoritetet afgane dhe talibanët janë duke u përgatitur të fillojnë negociatat e drejtpërdrejta që synojnë t'i japin fund luftës gati dy dekadëshe në Afganistan.

Por, zyrtarët kanë fajësuar talibanët për vrasjen e qindra zyrtarëve të sigurisë dhe civilëve javët e fundit.

Talibanët kanë mohuar përgjegjësinë për shumicën e sulmeve, por kanë pranuar se ende i shënjestrojnë forcat afgane të sigurisë në zonat rurale.

Zyrtarët thanë më 7 korrik se nga një sulm vetëvrasës në provincën lindore të Nangarhar u vra një komandant i policisë dhe dy truprojat e tij.

Në këtë rajon janë aktivë talibanët si dhe grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS).

XS
SM
MD
LG