Ndërlidhjet

Në SHSKUK po trajtohen 268 pacientë me koronavirus


Prishtinë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të enjten se 268 pacientë të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në shtatë spitalet e përgjithshme.

Prej tyre, thuhet në njoftim, 166 pacientë ndodhen në klinikat e QKUK-së dhe 102 në spitalet e përgjithshme.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së bëhet e ditur se janë gjithsej 100 raste - prej tyre 61 me oksigjenoterapi, ndërsa dy raste më të komplikura ndodhen në mjekimin intensiv të kësaj klinike.

Dyzetekatër pacientë, që të gjithë me oksigjenoterapi, janë duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa në njësinë intensive të Mjekësisë Sportive janë të shtrirë 22 pacientë - 4 prej tyre të intubuar.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës po ashtu bën të ditur se në spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 24 pacientë me koronavirus, në Pejë 42, në Gjakovë 19, në Ferizaj 6, në Gjilan 5 dhe në Mitrovicë 6, ndërsa në spitalin e Vushtrrisë për momentin nuk ka raste të konfirmuara.

Kosova, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars deri më 8 korrik, ka konfirmuar gjithsej 4,100 raste pozitive.

Prej tyre, 86 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 2,063 janë shëruar.

Të tjera në këtë temë:

XS
SM
MD
LG